Asistenca e Parkimit do t’ju ndihmojë të manovroni gjatë futjes dhe daljes nga hapësirat paralele dhe pingule të parkimit.
Pasi ta keni aktivizuar, Asistenca e Parkimit përdor sensorët përreth automjetit tuaj Land Rover për të matur përmasat e hapësirave të mundshme të parkimit kur u kaloni pranë. Sapo të ketë hasur një hapësirë 20 për qind ose më të madhe sesa automjeti juaj, do t’ju kërkojë të ndaloni, të hiqni duart nga timoni dhe të zgjidhni marshin e lëvizjes prapa, nëpërmjet Ekranit me prekje. Më pas, do të marrë nën kontroll timonin ndërsa automjeti lëviz prapa. Nëse përpiqeni ta drejtoni timonin vetë, sistemi do të çaktivizohet.
Sistemi do të shmangë automatikisht objektet dhe automjetet e tjera, por ju duhet të tregoni kujdes për fëmijët ose kafshët e pranishme. Për shkak se ju kontrolloni akseleratorin dhe frenat, mund ta bëni automjetin të lëvizë me shpejtësinë që dëshironi dhe të ndaloni kur të jetë e nevojshme.
Për shembull, nëse ju duhet të ndryshoni drejtimin, sistemi do t’ju kërkojë të ndaloni dhe të zgjidhni marshin përkatës sipas nevojës. Timoni do të mbetet nën kontrollin e sistemit, që ky i fundit ta parkojë automjetin tuaj Land Rover siç duhet në hapësirë.
Ekzistojnë tri modalitete: Parkimi paralel ju ndihmon të futeni në një hapësirë parkimi paralele me automjetin tuaj, Parkimi pingul ju ndihmon të futeni në një hapësirë në kënd 90 gradë me automjetin tuaj dhe Dalja nga parkimi ju ndihmon të dilni nga kjo hapësirë.
Për të aktivizuar veçorinë e kërkimit automatik të Asistencës së parkimit, mjafton ta ngadalësoni automjetin nën 18 mph. Gjithashtu, ju mund ta aktivizoni Asistencën e parkimit nëpërmjet Ekranit me prekje. Mund të përdorni edhe butonin për të zgjedhur se cili modalitet ju nevojitet, Parkimi paralel, Parkimi pingul ose Dalja nga parkimi dhe ta çaktivizoni sistemin.
Ky sistem është veçanërisht i dobishëm në qytezat dhe qytetet ku gjetja e hapësirave të parkimit është më e vështirë. Ai do t’ju tregojë hapësirat që mund t’ju jenë dukur shumë të ngushta. Duke qenë se e kryen vetë parkimin, kontaktet dhe gërvishtjet tipike që janë pjesë e përvojave tona gjatë parkimit në zonat urbane do të shmangen.
Sistemi nuk është i përshtatshëm për të parkuar në hapësira të harkuara dhe në rrugë të ngushta me automjete të parkuara në të dyja anët mund të mos jetë shumë i sigurt. Kërkohet që gjerësia minimale ndërmjet automjeteve të parkuara të jetë 4.5 metra.
Sistemi i Asistencës së parkimit njeh objektet e mëdha, si automjetet e tjera, por mund të mos zbulojë rreziqe të tjera, si fëmijët ose kafshët, gardhet prej rrjete, biçikletat ose motoçikletat pranë bordurave. Gjatë përdorimit të Asistencës së parkimit duhet të tregoni të njëjtën vëmendje ndaj hapësirave përreth sikurse bëni zakonisht. Nëse po udhëtoni me rimorkio, Asistenca e parkimit do të çaktivizohet.
NDIHMUESIT E PARKIMIT TË PËRPARMË DHE TË PASMË
Për t’ju ndihmuar që të parkoni në mënyrë të sigurt në një hapësirë të ngushtë, kamerat shfaqin pamje të pjesës së përparme dhe të pasme të automjetit në Ekranin me prekje dhe bëjnë paralajmërime zanore dhe pamore.
NDIHMUESI I PARKIMIT 360°
Sensorët e ndihmuesve të parkimit në pjesën e pasme, përparme dhe anësore mundësojnë informacion zanor dhe pamor në kohë reale për të treguar se sa pranë pengesave ndodheni.
ZBULIMI I DALJES SË LIRË
Në dyert e pasme do të ndizet një dritë paralajmëruese për t’i ndihmuar personat në automjet që të dalin prej tij në mënyrë të sigurt në rastin e automjeteve në afrim ose rreziqeve të tjera.
Me lançimin e InControl, disa nga veçoritë e përshkruara mund të jenë fakultative dhe të varen nga tregu ose nga grupi i fuqisë së mjetit. Ju lutemi konsultohuni me Shitësin tuaj lokal të autorizuar të Land Rover lidhur me disponueshmërinë dhe kushtet e plota. Disa veçori kërkojnë një SIM të posaçëm me kontratë të përshtatshme interneti (data), që do të kërkojë rinovim të mëtejshëm pas afatit fillestar të këshilluar nga Shitësi juaj. Lidhja celulare nuk mund të garantohet në të gjitha vendndodhjet.